Pse ka kaq shumë kisha të krishtera?
Ka kaq shumë kisha në botë, secila me një tërësi të ndryshme traditash, ritesh dhe besimesh. Me cilën prej tyre duhet të bashkohemi?
Katolike, ortodokse, baptiste, luterane, metodiste, presbiteriane... Ka dhjetëra emërtime të mëdha të krishtera dhe shumë kisha shpesh distancohen nga kishat e tjera, duke theksuar dallimet në rite dhe në besime.
A është mirë për krishterimin që të ketë kisha të ndryshme, në mënyrë që secili të bashkohet me kishën që i përshtatet më shumë?
Ndarjet mes të krishterëve filluan herët, që në ditët e apostullit Pal. Ja çfarë i shkroi ai kishës në Korint.
12Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: ''Unë jam i Palit'', ''unë i Apolit'', ''unë i Kefës'' dhe ''unë i Krishtit''.13Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?( 1 e Korintasve 1:12-13 )
Pra, le ta pyesim veten: A u kryqëzuan baptistët në kryq për ne? Apo mos u pagëzuat në emër të Luterit?
Të krishterët vazhdojnë të grinden në debate për hollësi të riteve, për përkufizimin e Trinisë, për emrin e Perëndisë, për atë se kush mund të quhet apostull... Shumë filozofë dhe njerëz të ditur e lexojnë Biblën dhe debatojnë për kuptimin e disa vargjeve dhe kapitujve. Por ku mund të na çojë urtësia jonë njerëzore?
20Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?( 1 e Korintasve 1:20 )
Urtësia jonë njerëzore dhe një tërësi e veçantë besimesh, edhe kur janë nxjerrë nga Bibla, nuk do të na ndihmojnë.
25Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.( Mateu 11:25 )
Çdo emërtim i krishterë përqafon besimet e veta dhe vendos rregulla e rite që kishat dhe udhëheqësit e tyre duhet t’i ndjekin. Por e gjithë kjo të çon te një gjë e vetme: ndarja. Dhe si ndikon te krishterimi ekzistenca e kishave të ndara?
25Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.( Mateu 12:25 )
Kur ecim në një rrugë drejt një qëllimi, nuk u kushtojmë shumë vëmendje pengesave që hasim gjatë rrugës. Nuk përqendrohemi te diskutimi i pengesave dhe i mënyrave të ndryshme për t’i kapërcyer ato. Përkundrazi, i mbajmë sytë te qëllimi dhe vazhdojmë përpara. E njëjta gjë vlen edhe për diskutimet se si të bësh kryqin si duhet, cila është procedura e duhur e pagëzimit e kështu me radhë. Të mos i lëmë këto diskutime të na ndajnë dhe të na largojnë vëmendjen nga gjëja kryesore.
10Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.30Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,( 1 e Korintasve 1:10,30 )
Atëherë, a nuk duhet të bashkohemi fare me ndonjë kishë? Jo. Të qenët pjesë e një kishe të ndihmon ta mësosh Fjalën e Perëndisë përmes predikimit.
21Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,( 1 e Korintasve 1:21 )
Mos harro se kisha nuk është një ndërtesë, por kisha janë njerëzit. Populli i Perëndisë dhe tempulli i Perëndisë.
16A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?( 1 e Korintasve 3:16 )
Si anëtar i kishës, duhet të ruash dhe të sigurosh themelin e duhur për jetën, zemrën dhe shpirtin tënd: Jezu Krishtin.
11sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.( 1 e Korintasve 3:11 )
Dhe shmang ndjekjen e emërtimeve të caktuara ose të udhëheqësve të veçantë. Mos u sill si njerëzit e kësaj bote.
4Sepse, kur dikush thotë: ''Unë jam i Palit'', dhe një tjetër: ''Unë jam i Apolit'', a nuk jeni ju të mishit?5Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit?6Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten.7Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit.( 1 e Korintasve 3:4-7 )
Dhe ki gjithmonë kujdes të përqendrohesh te gjëja kryesore: Krishti Jezus, shëmbëlltyra e vërtetë e Perëndisë së vetëm e të gjallë.
21Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;22Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.23Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.( 1 e Korintasve 3:21-23 )